Diplomacia para se gjithash është një temë e cila meriton një vëmendje të veçantë, me faktin se është shtyllë e “data bazës” së vetë politikës së jashtme. Diplomacia kushtimisht është një nga aspektet kyçe të demokracisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, e cila padyshim se ka një rol konstruktiv në raport me shtetet tjera.
Pra, diplomacia “është mirëmbajtja e marrëdhënieve në mes të shteteve, nëpërmjet marrëveshjeve si dhe metodave të zbatuara deri tek marrëveshja. Sipas, Sër Harold Nikolsonit “Diplomacia i nënshtrohet ministrit të Politikës së Jashtme, ministri Qeverisë, Qeveria i nënshtrohet shumicës së Kuvendit, duke qenë veç një Mbledhje përfaqësuesi i nënshtrohet vullnetit sovran".
Në këtë zinxhirë kalohet apo thënë më mirë ndërlidhet politika me diplomacinë. Mirëpo, nga aspekti sociologjik, diplomacia ka rëndësi të veçantë për shtetin, sepse krijon raporte korrelative me shtetet tjera, por edhe bashkëpunime bilaterale, multilaterale që kanë për qëllim forcimin dhe pragmatizmin e vetë shteteve. Sipas qasjes funksionaliste diplomacia paraqet një funksion të veçantë për shtetin, dhe si e tillë nga funksioni i kësaj të fundit, përfitues këtu janë shteti dhe vetë qytetarët e saj.
Ajo (diplomacia), sipas kuptimit të ngushtë ka për qëllim jetësimin e politikës së jashtme në një aspekt më të gjerë, duke bërë kësisoj që shteti, falë bashkëpunimeve të ndërsjella shtetërore të përfiton nga shumë aspekte, që nga ai i raporteve ndërshetërore, pastaj nga ekonomia, kultura, aspekti ushtarak, politika, shkëmbimi i përvojave të ndryshme, e deri tek problemet e qytetarëve të atij shteti lidhur me vizat, dokumentet e ndryshme postile, migracioni etj.
Në këtë kontekst, duke folur për diplomacinë kosovare, jemi dëshmitar të asaj që kohës së fundit ka një stagnim i cili si duket organet shtetërore nuk po i preokupon aq sa duhet. Kosova, tashmë dy vite është e pavarur dhe është njohur si shtet nga 65 shtete, me të cilat vetëm me disa nga to ka lidhur raporte ndërshtetërore, apo ka këmbyer ambasadorë, me të tjerat akoma jo.
Shteti i fundit që kishte pranuar Kosovën ishte Republika e Mauritanisë me datën 13 janar 2010. Që nga ajo kohë nuk ka më sinjale nga ndonjë shtet që është i gatshëm të pranoj shtetin e Kosovës. Diplomacia kosovare, nga prizmi sociologjik këtu na del një diplomaci e brishtë, e cila ka nevojë për një infuzion më konstruktiv drejt zhvillimit dhe lobimit për pranimin e shtetit të Kosovës nga shtetet tjera.
Shpesh, kemi rastin që në media të dëgjojmë se problemi lidhur me mosnjohje të reja qëndron tek GJND-ja. Megjithatë, duhet pohuar se GJND-ja nuk mund të jetë shkaku kryesor pse sot nuk ka pranim të Kosovës nga shtetet tjera, ajo mund të jetë një pikë me rëndësi, mirëpo jo pike kryesore. Problemi qëndron tek organet shtetërore të cilat jo vetëm që janë të ngadalta në këtë drejtim, por mundohen edhe të nxjerrin justifikime nga më të ndryshmet. Këtu nuk duhet fajësuar vetëm këtë ministër apo atë ministër, por këtu përfshihet e gjithë Elita politike kosovare.
Me fjalë të tjera, duhet thënë se Kosova ka nevojë për njerëz që përfaqësojnë atë në politikën e jashtme, dhe normalisht këtu duhet kontribuar i gjithë shteti në atë mënyrë që të kemi sa më shumë njohje.
Pse nevoja për një diplomaci më konstruktive?
Duke parë për së afërmi arritjet e diplomacisë kosovare, Kosova nuk ka bërë aq sa duhet për t’u pranuar ndërkombëtarisht. Fajin secili ia hedh tjetrit, dhe në fund faji gjithmonë mbetet jetim, kështu të paktën realiteti thotë. Në këtë drejtim ne nuk e mohojmë faktin se deri më tani nuk është bërë asgjë, mirëpo ideja qëndron se shteti kosovar, ka nevojë për një diplomaci më konstruktive, pragmatiste, racionale, dhe më profesionale, në mënyrë që të arrihet një progres më i lartë se tani.
Duke ecur më tutje shohim se shumë premtime janë dhënë, dhe fare pak është punuar në këtë drejtim, këto premtime nuk janë bërë vetëm nga organet udhëheqëse, por edhe nga shumë mekanizma tjerë institucional, ndër to edhe organizatat fetare. Kështu, që nëse shikojmë klerin katolik, shohim se vetëm premtime kanë dhënë lidhur me atë se Vatikani do të na pranon së shpejti, të njëjtën gjë e pohojnë edhe homologët e tyre islam, madje BIK-u shpeshherë ka theksuar së shpejti do të kemi njohje të reja nga bota arabe, por deri më tani si duket vetëm fjalë kanë mbetur. Andaj, duhet thënë se defekti ekziston diku?
Megjithatë, duhet thënë se është koha për të rifilluar një seri lobimesh në shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, në mënyrë që Kosova që ketë sa më shpejtë perspektivën e saj edhe në shumë organizata ndërkombëtare siç janë OKB-ja etj.
Çfarë duhet bërë Institucionet kosovare?
Ajo çfarë duhet bërë organet shtetërore, e veçanërisht politika e jashtme kosovare është një temë tjetër, megjithatë do të ishte e rrugës që së pari mjetet që i posedojnë t’i përdorin në mënyrë logjike. Pra, duke bërë kësisoj që të marrin pjesë në shumë takime ndërkombëtare, në vendet afrikane, aziatike, pastaj në ato të Amerikës Latine etj, në atë drejtim që të paktën këto shtete të kenë një orientim gjeografik se ku është Kosova.
Pastaj, duhet miratuar një buxhet të veçantë për diplomacinë kosovare, që të lobohet sa më shumë në këtë drejtim, sepse nuk janë diplomatët vetëm ambasadorët e një shteti, por diplomatët mund të jenë edhe njerëzit e artit, shkencës, muzikës etj. Së këndejmi, nuk thuhet pa arsye se diplomacia konsiderohet edhe art i marrëdhënieve ndërkombëtare, gjë që e dëshmon një gjë të tillë.
Element tjetër, me rëndësi është edhe fakti që organizatat fetare të cilat kanë rol me rëndësi në shoqërinë kosovare të organizojnë më shumë takime në favor të njohjes së shtetësisë së Kosovës, duke bërë kësisoj që nëpër mes fesë, duke përdorur si një instrument të arrihet deri tek njohja e shtetit tonë. Feja dhe politika shpeshherë i shohim që janë simotra, andaj kur janë në pyetje interesat shtetërore nuk duhet anashkaluar asnjë fakt të vetëm. Në fund, duhet thënë se këto pika të shkurtra që i përmendëm janë vetëm disa pikat që shteti kosovar duhet bërë drejtë zhvillimit të politikës së jashtme, pikërisht në zhvillimin e një diplomacie më konstruktive, nëse dëshiron që nesër të ketë bashkëpunime të ndërsjella me këto shtete, dhe që të përfiton në shumë aspekte.
Prandaj, mund të themi se kjo diplomaci kosovare duhet të ndjekë një politikë aktive të veprimit, proceseve dhe rrjedhojave të cilën duhet të ketë një shtet me një diplomaci të mirëfilltë. Me fjalë, të tjera diplomacia kosovare duhet të bazohet mbi themelet e standardeve universale të vlerave nga vetë Perëndimi, në atë kuptim që të marrë shembull atë, dhe të kërkon ndihmë për zhvillimin e një diplomacie më konstruktive.
(Autori ka master në Sociologji)