Telegrafi

Neville nuk e kapërdin lehtë shkëlqimin e Shaqirit: Shpresoj të mos më dërgoni mesazhe, ka nevojë të luajë Ronaldinho me të

Xherdan Shaqiri e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Liverpooli.

Mesfushori fantastik nga Kosova e bëri debutimin e tij në derbi ndaj Manchester United edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore.

Gjilanasi luajti 45 minuta, por aq i mjaftuan për të treguar sa vlen pasi bëri një asistim dhe shënoi një gol spektakolar me gërshërë.

Ish-mbrojtësi legjendar i United, Gary Neville e kishte kritikuar para këtij takimi Shaqirin, por pas paraqitjes së yllit tonë tifozët e Liverpool kanë filluar të tallen me ish-reprezentuesin anglez.

Neville si duket nuk po e kapërdin lehtë shkëlqimin e Shaqirit pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij Manchester United.

Tani anglezi ka shkruar përsëri për Xherdanin, duke iu drejtuar tifozëve të Liverpoolit.

“Shpresoj të mos më dërgoni mesazhe sa herë ta shikoni atë në qendër të mesfushës sa herë që skuadra e juaj është duke u sulmuar”.

“Oh, dhe ai ka nevojë për Ronaldinhon të luaj me të”, shkroi Neville me ironi në Twitter.

Mbetet të shihet nëse Xherdani do t’ia kthejë përsëri ish-mbrojtësit anglez, pasi herën e parë ia ktheu edhe me fjalë por edhe me paraqitje fantastike në fushë. /Telegrafi/

Postimi i Gary Neville në Twitter