Dëmtimi i numrit një të Përfaqësueses Gjermane të Futbollit, Manuel Neuer mund ta lërë atë jashtë fushe për një hark kohor më të gjatë nga ai që ishte planifikuar fillimisht.
Portieri i Bayern Munichut gjatë një prononcimi për mediat ka deklaruar se mund t’i nevojitet të qëndrojë rreth 6 muaj jashtë fushe pas asaj frakture të rëndë që pësoi në këmbë gjatë muajit shtator.
31-vjeçari nuk ka pasur një mbarëvajtje shumë të mirë muajt e fundit, pasi kujtojmë edhe dëmtimin që pësoi në muajin prill në ndeshjen me Reali Madridin, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, përcjell SS.
Shtatlarti gjerman Neuer, i cili pati një rikthim shumë të shkurtër në fillim të këtij sezoni del jashtë parashikimit të klubit, i cili pati lajmëruar se rikthimi i tij ishte planifikuar për në muajin janar.
“Plaga duhet të qëndrojë e pastër e në qetësi dhe që çdo gjë të shkojë në vendin e vet ndoshta do të duhen edhe 6 muaj të tjerë”, deklaroi portieri gjerman.
Neur do të humbasë pjesën më të madhe të sezonit të Bayernit, ndërkohë që pritet të jetë në formë optimale për debutimin e Gjermanisë në Botërorin “Rusia 2018”.
Kujtojmë se skuadra kombëtare e Gjermanisë është kualifikuar pa problem për në Kupën e Botës pasi ka fituar të gjitha nëntë ndeshjet në grup.