Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” më prestigjiozja (jo vetëm) në Zvicër, i ka kushtuar jubileut 10 vjeçar të pavarësisë së Kosovës një numër të magazinës së vet mujore “Folio Magazine NZZ”.
Në këtë numër me formë të një broshure, janë përfshirë disa artikuj të gjerë që rrahin në mënyrë të thelluar aspekte të ndryshme të jetës në Kosovë dhe në veçanti të atyre që e lidhin Kosovën me Zvicrën.
“Më 17 shkurt 2018 Kosova feston 10 vjetorin e pavarësisë. Ajo nuk njihet nga të gjitha shtete anëtare të OKB-së dhe, ky është vetëm njëri nga problemet që ka Kosova. Qytetarët nuk kanë liri të lëvizjes (detyrimi i vizave), shkalla e papunësisë është e lartë, pothuaj mungojnë investimet nga jashtë ndërsa pasiguria ligjore dhe korrupsioni karakterizojnë këtë shtet”, thuhet në editorialin e numrit special të “Folio Magazin NZZ”, shkruan albinfo.ch.
“Zvicra ka filluar që herët angazhimin për pavarësinë e Kosovës. Falë 200 mijë njerëzve që jetojnë te ne si diasporë, ne jemi të lidhur ngushtë me Kosovën; shprehja ‘Kantoni i Kosovës’ nuk është menduar në mënyrë përçmuese por është një shprehje e simpatisë. Shkaqe për këtë ka mjaft, si për shembull rrëfimet e suksesit të integrimit të “secondave dhe secondove” (të rinjtë e brezit të dytë) të cilat po i rrëfejmë në këtë numër”. Ky është teksti hyrës i numrit special, që, siç mund të shihet kur t`i kesh lexuar artikujt që përmban, është njëherësh është edhe një lloj ‘shpallje dashurie’ zvicerane për Kosovën dhe kosovarët.
Këta artikuj janë shkruar nga pena të shquara të revistës Folio dhe të redaksive të ndryshme të gazetës “Neue Zürcher Zeitung (“NZZ”) apo edhe autorë të jashtëm. Ata japin tablo shumë realiste ku ndërthuren pamje shumë njerëzore e dashamirëse të Kosovës sot dhe të raporteve Zvicër-Kosovë.
Dosja fillon me shkrimin “Zviceranët të mirëseardhur”, që është një përshkrim i jetës në Kosovë, kryesisht në kryeqytetin e saj, në Prishtinë, të rrëfyer nga personalitete të rëndësishme dhe secili unik në domenin e vet. Ata, me dëshpërim por njëherësh edhe me një shpresë për të ardhhmen, përshkruajnë gjendjen aktuale jo shumë të ndritshme në Kosovë.
Artikulli i radhës bën fjalë për Mitrovicën gjegjësisht për pasurinë nëntokësore të Kosovës veriore, për kolosin industrial, pothuaj të fjetur, Trepçën. Konflikti në mes të serbëve dhe shqiptarëve në këtë vatër të ndezur gjen pikën e shpërthimit.
Aty autori përmes një ish minatori shqiptar dhe një punëtor tjetër, serb, të minierës pasqyron zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë në së paku 30 vitet e fundit. Nga gjiganti ekonomik në kohën e socializmit që siguronte mirëqenie për dhjeta mijë punëtorë dhe familjet e tyre, “Trepça” sot është pothuajse e vdekur. Në fund, dy protagonistët, serbi dhe shqiptari qëndrojnë në të tyren: njëri thotë se “Trepça është pasuri serbe” ndërsa tjetri: “Trepça i takon Kosovës”. Dhe shton: “unë jam në gjendje ta mbroj edhe me jetën time!”.
Një artikull mbi Faton Zejnullahun, një reper i njohur me emrin artistik “Da Ghost”, që pasi ka jetuar rreth 20 vite në Zvicër, vendos të kthehet në vendlindje, në Prishtinë. Kishte menduar ta provonte këtë për 2 vjet por ndërkohë ishin mbushur 4 vjet dhe Fatoni ende është në Prishtinë… Duke njohur të dy realitetet, ai është në gjendje të flasë nga dy perspektivat: si “schatzi” (siç i quajnë në Kosovë mërgimtarët) por edhe si qytetar kosovar. Ai, fundja vitet e fëmijërisë i ka kaluar në Kosovë, ku është edhe tash, pas një ndërprerjeje të gjatë.
“Tri gra po bëjnë karrierë”, kështu titullohet artikulli i radhës, ku autori ka përcjell zhvillimet brenda dhjetë viteve të tri gra shqiptare nga Kosova, që jetojnë prej vitesh në Zvicër. Ai pati botuar pikërisht para dhjetë viteve, në vitin 2008 artikullin ku prezantoheshin, veç tjerash, atëbotë 3 të rejat në fjalë: Ylfete Fanaj, Shiponja Isufi dhe Shqipe Bajrami. Sot, 10 vite më pas, ai i takon ato sërish dhe nxjerr bilancin e këtij dhjetëvjeçari, duke e ndërlidhur me 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.