Njërit prej shërbimeve më të popullarizuara online për transmetimin e përmbajtjeve muiltimediale, Netflix, i është ndaluar pjesëmarrja në Festivalin e filmit në Kanë.
Në këtë mënyrë, filmat e Netflix nuk mund të konkurrojnë për Palmën e Artë.
Drejtori i Institutit Lumiere, Thierry Fremaux, ka thënë për Hollywood Reporter se ndalesa është bërë për shkak se Netflix ka refuzuar që t’i japë premierë filmat e vet në kinematë e festivalit.
Nga shërbimi i njohur kanë thënë se duan që të gjithë filmat e tyre të vazhdojnë të transmetohen përmes internetit. Derisa opsion i fundit është që filmat të shfaqen njëkohësisht në internet dhe në kinema.
Kur është fjala për filmat, “Okja” dhe “The Meyerowitz Stories”, të cilët u shfaqën në vitin e kaluar në Festivalin e filmit në Kanë, Netflix nuk kishte mundur që t’i transmetonte njëkohësisht online për shkak të rregullave komplekse të festivalit.
Ndryshe, filmat që do të shfaqen këtë vit në Festivalin e Kanës duhet që premierat e tyre t’i kenë në Francë.
Përmendim se festivali ka marrë vendim që t’i ndalojë edhe ‘selfiet’ në tepihun e kuq. /Telegrafi/