Site icon Telegrafi

Netanyahut i duhet lufta, Irani nuk duhet t’ia plotësojë këtë dëshirë

Nga: Seyed Hossein Mousavian / The Guardian (titulli në anglisht: Netanyahu knows he needs this war to shore up support. Iran should not give him what he wants)
Përkthimi: Telegrafi.com

Situata në Lindjen e Mesme tani është përkeqësuar aq shumë, saqë ShBA-ja mund të përfshihet në një lufte rajonale. Vrasja nga izraelitët e Ismail Haniyehut – pasi kreu i lartë i Hamasit kishte udhëtuar për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit – ka ngjallur frikën e hakmarrjes. Më herët në këtë javë, Britania, Franca dhe Gjermania lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Iranit dhe aleatëve të tij që të përmbahen nga sulmi ndaj Izraelit. “Nëse SHBA-ja dhe vendet perëndimore vërtet duan të parandalojnë luftën dhe pasigurinë në rajon, duhet ta bindin këtë regjim të ndalojë gjenocidin dhe sulmet në Gazë dhe të pranojë armëpushimin”, i tha presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, presidentit francez Emmanuel Macron.

Izraeli e kreu këtë vrasje me qëllimin e dukshëm për ta tërhequr ShBA-në në luftë me Iranin. Shkalla e përgjigjes së Iranit do të përcaktojë nëse ShBA-ja do të përfshihet. Presidenti Biden nuk pret që Irani të kryejë sulm hakmarrës nëse arrihet marrëveshja për t’ia dhënë fundin luftës në Gazë, por ai në fakt nuk ka ndihmuar kur Izraelit ia ka shitur armët në vlerë të 20 miliardë dollarëve – një nga paketat më të mëdha ushtarake që nga fillimi i luftës së Gazës. As Izraeli dhe as ShBA-ja në të vërtet nuk e duan luftën me Iranin, por, siç tha Bideni në një intervistë të fundit, ka “arsye” që njerëzit të mendojnë se për interesa politike Netanyahu po e zgjat qëllimisht luftën në Gazë. Netanyahu e ka humbur mbështetjen në botë dhe brenda Izraelit. Sapo të përfundojë lufta, ai me siguri do të largohet nga detyra dhe do të përballet me gjyqin për korrupsion.

Kuptohet, Irani ka nevojë që përgjigja e tij të jetë aq domethënëse sa të dekurajojë Izraelin. Por, në hartimin e reagimit, duhet të shmang ndezjen e një lufte me ShBA-në. Të dyja palët do të pësonin humbje serioze dhe rajoni do të bëhej edhe më i paqëndrueshëm. Pastaj është reputacioni për të cilin duhet të mendojë Pezeshkiani. Ai e fitoi mbështetjen e publikut të Iranit për një platformë reformiste të fokusuar në përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike të vendit dhe të marrëdhënieve me jashtë, duke përfshirë ShBA-në dhe Evropën. Netanyahu synonte të eliminonte shanset e tij. Irani nuk duhet të luajë sipas planit të tij.

Ashtu siç duhet të veprojë me kujdes në politikën e brendshme, Izraeli gjithashtu duhet të shmang prishjen e ekuacioneve të brendshme politike të Amerikës, përpara zgjedhjeve të nëntorit. Netanyahu e sheh presidencën e dytë të Trumpit si ndihmë për axhendën e vet. Ai e bindi Trumpin që të tërhiqte ShBA-në nga marrëveshja bërthamore ShBA-Iran, duke ia lejuar Iranit të pozicionohej ashtu që të mund të prodhonte material të mjaftueshëm për bombë brenda një jave dhe jo një viti. Trumpi më pas e përcaktoi Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste dhe, me një akt të diskutueshëm, zgjodhi të njoh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Palestina është çështja kryesore që ndihmon në nxitjen e krizës në Lindjen e Mesme. Që nga fillimi i luftës më 7 tetor, të paktën 39 677 palestinezë janë vrarë në Gazë. Më shumë se 90 mijë palestinezë janë plagosur dhe më shumë se 80 përqind e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë dëbuar nga shtëpitë e veta nga sulmet izraelite. Numri i vërtetë i vdekjeve mund të kalojë shifrën 186 mijë – sipas një studimi të botuar në Lancet. Martin Griffiths, ish-nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare, e ka përshkruar luftën si “më të keqen në përvojën time 50-vjeçare” – më keq se skenat që ka parë në Siri, më keq se tmerret e Kmerëve të Kuq në Kamboxhia.

Nëse Irani dëshiron të mbrojë të drejtat palestineze, në vend që të nis një sulm të drejtpërdrejt ushtarak ndaj Izraelit, siç bëri në prill, ai duhet t’i përdor levat ekzistuese të së drejtës ndërkombëtare, siç është rezoluta e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, si dhe vendimin historik të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 19 korrik, GjND-ja deklaroi se Izraeli duhet t’ia japë fundin pranisë së vet të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez dhe të evakuojë të gjithë kolonët izraelitë sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjithashtu, këmbënguli se të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, janë të detyruara të mos japin ndihma apo ndihmë që do të ndihmonte në mbajtjen e vazhdueshme të okupimit të territorit palestinez.

Janë tre hapa madhorë që do të ndihmonin në sigurimin e paqes në rajon. I pari dhe më i rëndësishmi do të ishte armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit. ShBA-ja është i vetmi vend që mund ta shtyjë Netanyahun të pranojë armëpushimin e qëndrueshëm dhe këtë duhet bërë. Në vend të sulmit të drejtpërdrejtë hakmarrës ushtarak ndaj Izraelit, Irani duhet të fokusohet në mënyrën se si ta mbajë Netanyahun përgjegjës. Në këtë mënyrë, përgjigja e tij ndaj vrasjes së Haniyehut mund të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Palestinën e lirë dhe për armëpushim të menjëhershëm. Dhe, nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhërarrest për Netanyahun dhe udhëheqës të tjerë izraelitë, Irani mund të bëjë çdo përpjekje për t’i çuar ata para drejtësisë.

Hapi i dytë është që Uashingtoni të mirëpresë zgjedhjen e një presidenti të ri të Iranit i cili angazhohet për t’ia dhënë fundin armiqësisë më shumë se 40 vjeçare me SHBA-në. Nëse ShBA-ja zgjedh president me angazhim të ngjashëm, të dy palët duhet të punojnë së bashku për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, për t’ia dhënë fundin dekadave të konfrontimeve të rrezikshme rajonale dhe për të sjell armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit. I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, hap i duhur do të ishte që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të krijojë një forum për dialog dhe bashkëpunim midis Iranit dhe fqinjëve arabë rreth Gjirit Persik. Së bashku, këta tre hapa janë mënyra më e mirë për të ulur tensionet, për të parandaluar luftën rajonale dhe për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. /Telegrafi/

Exit mobile version