Pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu bëri një gafë që ofendoi marokenët, zyra e tij kërkoi falje zyrtare për autoritetet në këtë vend.
Përkatësisht, gjatë një interviste për kanalin francez të lajmeve LCI, ai ka shfaqur një hartë të rajonit të Afrikës Veriore, më saktësisht zonën ku ndodhen vendet e Magrebit. Ajo që i shqetësoi marokenët në të gjithë historinë ishte se harta tregonte edhe territorin e Saharasë Perëndimore të diskutueshme, por veçmas nga Maroku.
Pas intervistës ka pasur një sërë reagimesh nga Maroku, si nga qytetarët e këtij vendi, ashtu edhe nga politikanë të cilët kërkuan sqarimin e hartës që lideri izraelit mbante gjatë intervistës.
Kjo ka ndodhur shumë shpejt dhe për ngjarjen kanë bërë të ditur Zyra e Kryeministrit izraelit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të këtij vendi.
“Izraeli, nën udhëheqjen e kryeministrit Netanyahu, njohu zyrtarisht sovranitetin e Marokut mbi Saharën Perëndimore në vitin 2023. Kjo njohje u pasqyrua, ndër të tjera, në rishikimin e hartës gjeografike që varet në zyrën e kryeministrit. Fatkeqësisht, ky korrigjim nuk u bë në hartën e vjetër që kryeministri mori përsipër pak çaste para fillimit të intervistës në televizionin francez, politika e Izraelit është e qartë dhe nuk ka ndryshuar – ne e njohim sovranitetin e Marokut në Saharanë Perëndimore”, shkruan në njoftim.
Për gjithë situatën është shprehur edhe Ministria e Jashtme e Izraelit, konkretisht zëdhënësi i mediave arabe, Hassan Kaabia.
“Për shkak të një gabimi të paqëllimshëm, ka pasur zhurmë të konsiderueshme mediatike në lidhje me një hartë të përdorur nga Benjamin Netanyahu që tregon Marokun pa Saharën e tij Perëndimore. Prandaj, unë i ofroj një sqarim Madhërisë së Tij, Mbretit Mohammed VI. Maroku mbetet në Saharanë e tij përgjithmonë. Kërkojmë falje Për këtë gabim teknik, Izraeli dhe Maroku janë vëllezër dhe ne nuk do të heqim dorë nga njohja jonë historike e Saharasë Perëndimore”, përfundoi Kaabia. /Telegrafi/