Site icon Telegrafi

Netanyahu thotë se mund të ketë pezullim të pjesshëm të operacioneve në Gaza për të lejuar vaksinimin kundër poliomielitit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se mund të ketë pezullim të pjesshëm të operacioneve ushtarake në Gaza për të lejuar fëmijët e vegjël të vaksinohen kundër poliomielitit.

Në një deklaratë, zyra e Netanyahut mohoi një raport televiziv izraelit se do të kishte një armëpushim të përgjithshëm gjatë fushatës së vaksinimit që fillon në fundjavë, por tha se kishte miratuar “caktimin e vendeve specifike” në Gaza.

“Kjo i është paraqitur kabinetit të sigurisë dhe ka marrë mbështetjen e profesionistëve përkatës”, thuhet në deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Dhe siç vlerësojnë mediat, deklarata e shkurtër mund të ketë qenë qëllimisht “e paqartë”.

Elementët e ekstremit të djathtë të koalicionit janë kundër çdo forme armëpushimi apo “lehtësimi” për popullatën palestineze të Gazës, por agjencitë e ndihmës e kanë bërë të qartë se shpërthimi i poliomielitit, i pari në Gaza për 25 vjet, pothuajse me siguri do të përhapej në Izrael.

Raporti i medias izraelite tha se një pauzë në operacionet u kërkua nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, kur ai vizitoi Izraelin javën e kaluar.

Më shumë se 25,000 shishe vaksine, të mjaftueshme për mbi një milion doza, kanë mbërritur në Gaza së bashku me pajisjet e nevojshme për t’i mbajtur ato të freskëta gjatë transportit.

Por ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se do të ishte praktikisht e pamundur të kryhet me sukses aksioni i vaksinimit nën bombardime.

Për të ndaluar përhapjen e sëmundjes, agjencitë e ndihmës duhet të arrijnë 90% të rreth 640,000 fëmijëve nën moshën 10 vjeç në Gaza.

Kjo tashmë është sfiduese pasi palestinezët i janë nënshtruar një numri në rritje urdhrash evakuimi nga ushtria izraelite, duke i grumbulluar ata në hapësira gjithnjë e më të ngushta dhe më të largëta. /Telegrafi/

Exit mobile version