Site icon Telegrafi

Netanyahu thotë se Izraeli përballet me luftë në shtatë fronte

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se gati një vit pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, vendi i tij tani po lufton në shtatë fronte.

“Sot, Izraeli po mbrohet në shtatë fronte kundër armiqve të qytetërimit”, ka thënë ai në një deklaratë video të shtunën.

Ai tha se ato përfshijnë Hezbollahun e mbështetur nga Irani në veri, Hamasin në Gaza, Houthit në Jemen, “terroristët” në Bregun Perëndimor dhe milicitë shiite në Irak dhe Siri.

“Dhe ne po luftojmë kundër Iranit, i cili javën e kaluar gjuajti mbi 200 raketa balistike direkt në Izrael dhe që qëndron pas kësaj lufte me shtatë fronte kundër Izraelit”, citohet të ketë thënë Netanyahu, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se po mban premtimin e tij për të ndryshuar balancën e fuqisë në veri midis Izraelit dhe Libanit.

Izraeli ka nisur gati 9,000 sulme në Liban që nga 8 tetori dhe Hezbollah ka nisur 1,500 sulme në të njëjtën periudhë kohore, sipas të dhënave të ACLED.

Ndërsa duke iu referuar Gazës, Netanyahu tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se nuk do t’i harrojë 101 pengjet “të cilëve ne jemi të përkushtuar me të gjitha forcat për t’i sjellë në shtëpi”.

Të paktën 41,825 njerëz janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori i vitit të kaluar, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës.

Ai e quajti “turp” thirrjen e presidentit francez Emmanuel Macron dhe vendeve të tjera që bëjnë thirrje për embargo armësh kundër Izraelit.

“Të jeni të sigurt, Izraeli do të luftojë derisa të fitohet beteja – për ne dhe për hir të paqes dhe sigurisë në botë”, shtoi Netanyahu. /Telegrafi/

Exit mobile version