Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Netanyahu ka thënë se ka pasur shumë boshllëqe mes tij dhe Gallant lidhur me menaxhimin e luftërave të Izraelit në Gaza dhe Liban, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë bëhet e ditur se Netanyahu ka emëruar ministrin e Jashtëm Israel Katz si ministrin e ri të mbrojtjes të vendit ndërsa emëroi Gideon Saar në postin e mëparshëm të Katz.
Në një deklaratë, Netanyahu theksoi: “Në mes të një lufte, më shumë se kurrë, kërkohet besim i plotë midis kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes”.
“Fatkeqësisht, edhe pse në muajt e parë të fushatës ka pasur një besim të tillë dhe ka pasur një punë shumë të frytshme, gjatë muajve të fundit ky besim është çarë mes meje dhe ministrit të Mbrojtjes”.
Netanyahu shtoi se ai “bëri shumë përpjekje për të kapërcyer këto boshllëqe, por ato vazhduan të zgjeroheshin”.
Ndërsa Gallant postoi në rrjetet sociale duke thënë se “siguria e shtetit të Izraelit ishte dhe do të mbetet gjithmonë misioni i jetës sime”. /Telegrafi/