Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është nisur drejt SHBA-së për të diskutuar “fitoren mbi Hamasin”, Iranin dhe zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet arabe në takimin e tij me presidentin Donald Trump.
Takimi i së martës në Shtëpinë e Bardhë do të jetë i pari i Trumpit me një udhëheqës të huaj që nga kthimi në detyrë.
Bëhet e ditur se ai vjen ndërsa ndërmjetësit amerikanë dhe arabë fillojnë punën për ndërmjetësimin e fazës tjetër të një marrëveshjeje për të mbyllur luftën në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga militantët.
Hamasi, i cili ka rikthyer shpejt kontrollin e tij mbi Gazën që prej arritjes së armëpushimit muajin e kaluar, ka thënë se nuk do të lirojë pengjet e planifikuar për t’u liruar në fazën e dytë pa përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite.
Ndërsa Netanyahu, i cili është nën presion në rritje nga partnerët qeverisës të ekstremit të djathtë për të rifilluar luftën pas përfundimit të fazës së parë në fillim të marsit, ka deklaruar se Izraeli është ende i përkushtuar për fitoren mbi Hamasin dhe kthimin e të gjitha pengjeve të kapura.
Por, është e paqartë se ku qëndron Trump në gjithë këtë, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Ai ka qenë një mbështetës i vendosur i Izraelit, por gjithashtu është zotuar t’i japë fund luftërave në Lindjen e Mesme dhe ka marrë meritat për ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Raportohet se marrëveshja ka ndalur luftimet dhe ka çuar në lirimin e 18 pengjeve që ishin mbajtur për më shumë se 15 muaj, si dhe qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Netanyahu përqafon thirrjen e Trumpit për ‘paqe përmes forcës’
Në një deklaratë të lëshuar përpara nisjes drejt SHBA-së, Netanyahu njoftoi se ata do të diskutojnë “fitoren mbi Hamasin, arritjen e lirimit të të gjitha pengjeve dhe trajtimin e boshtit të terrorit iranian”, duke iu referuar aleancës së Iranit dhe grupeve militante në të gjithë rajonin, përfshirë Hamasin.
Ai tha se duke punuar së bashku, ata mund të “forcojnë sigurinë, të zgjerojnë rrethin e paqes dhe të arrijnë një epokë të jashtëzakonshme paqeje përmes forcës”.
Aspiratat për një marrëveshje më të madhe
Ndryshe, i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, iu bashkua negociatave njëvjeçare të armëpushimit në javët e fundit të tyre muajin e kaluar dhe ndihmoi në shtyrjen e marrëveshjes.
Ai u takua me Netanyahun në Izrael javën e kaluar dhe të dy pritej të fillonin zyrtarisht bisedimet për fazën e dytë në Uashington të hënën.
Trump, i cili ndërmjetësoi marrëveshjet e normalizimit midis Izraelit dhe katër vendeve arabe në mandatin e tij të parë, besohet se po kërkon një marrëveshje më të gjerë dhe potencialisht historike në të cilën Izraeli do të krijonte lidhje me Arabinë Saudite.
Por mbretëria, e cila i rezistoi thirrjeve të ngjashme nga administrata Biden, ka thënë se do të pajtohej me një marrëveshje të tillë vetëm nëse lufta përfundon dhe ekziston një rrugë e besueshme për një shtet palestinez në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, territore të pushtuara nga Izraeli. /Telegrafi/