Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka mbajtur një fjalim në Kongresin amerikan, ku nuk ishin të pranishëm shumë kongresistë demokratë dhe disa republikanë.
I pari i qeverisë Izraelite fillon fjalimin duke thënë se lufta në Gaza “është një përplasje midis barbarizmit dhe qytetërimit” dhe një përplasje midis “atyre që lavdërojnë vdekjen dhe shenjtërojnë jetën”.
“Që forcat e qytetërimit të triumfojnë, Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë së bashku. Sepse kur qëndrojmë bashkë, ndodh diçka shumë e thjeshtë: ne fitojmë, ata humbin”, pohoi ai, raporton skynews.
Netanyahu e ka quajtur presidentin amerikan, Joe Biden një sionist krenar amerikan në Kongres.
“Presidenti Biden dhe unë njihemi për më shumë se 40 vjet. Unë dua ta falënderoj atë për gjysmë shekulli miqësi me Izraelin dhe që është, siç thotë ai, një sionist krenar. Ai thotë, një sionist krenar irlandezo-amerikan”, pohoi lideri izraelit.
Ai thotë se burrat dhe gratë e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) vijnë nga “çdo cep i shoqërisë izraelite, çdo etni, çdo ngjyrë, çdo besim, majtas dhe djathtas, fetarë dhe laik”.
Netanyahu u zotua të kthejë pengjet e kapur nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, “dhimbja që kanë duruar këto familje është e pafjalë. Dje u takova sërish me ta dhe u premtova këtë: Nuk do të pushoj derisa të gjithë të dashurit e tyre të jenë në shtëpi. Të gjithë ata”.
Kryeministri izraelit bëri një premtim për atë që ai e quajti “të gjitha familjet e pikëlluara të Izraelit,” duke premtuar, “sakrifica e të dashurve tuaj nuk do të jetë e kotë”.
“Do të jetë e kotë sepse për Izraelin, ‘kurrë më’ nuk duhet të jetë një premtim bosh”, tha ai dhe shtoi se “duhet të mbetet gjithmonë një betim i shenjtë. Dhe pas 7 Tetorit, ‘kurrë më’ është tani”.
Netanyahu i thotë Kongresit se ushtria izraelite “ka hedhur miliona fletushka, ka dërguar miliona mesazhe me tekst, ka bërë qindra mijëra telefonata për të larguar civilët palestinezë nga rreziku”.
Ai fajëson Hamasin për një “strategji” në të cilën përdor civilët si “mburoja njerëzore” në mënyrë që Izraeli “të njolloset në mediat ndërkombëtare dhe të bëhet presion për t’i dhënë fund luftës”.
Ndryshe, mijëra njerëz kanë dal në protesta kundër vizitës së liderit izraelit në Uashington, ku janë përleshur me policinë amerikane që ka përdorur gazin lotsjellës. /Telegrafi/