Telegrafi

Netanyahu e quan “zhgënjim të madh” fjalimin e Sekretarit Kerry

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në mes të Izraelit dhe palestinezëve.

Duke shpjeguar vendimin e SHBA-ve, javën e kaluar, për të mos vënë veto në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku i kërkohej Izraelit të ndalojë ndërtimet në Bregun Perëndimor, Kerry tha se Washingtoni ka votuar në këtë mënyrë për të ruajtur zgjidhjen për dy shtete, raporton AFP.

“Kjo është ajo që ne përfaqësojmë, e ardhmja e Izraelit si një shtet hebre dhe demokratik, që do të ekzistojë në paqe dhe në siguri krah për krah me fqinjët e tij”, tha ai.

Ai tha se politika izraelite menaxhon një plan të ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor që rrezikon paqen me palestinezët.

Fjalimi i Kerryt e ka shqetësuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e ka quajtur atë “një zhgënjim të madh”.

“Një orë të tërë, sekretari i Shtetit ka sulmuar të vetmin vend demokratik në Lindjen e Mesme”, tha ai për televizion izraelit, transmeton KosovaPress.