Benjamin Netanyahu është akuzuar për sabotim të negociatave të armëpushimit në Gaza, pasi ai përsëriti kërkesën e tij që lufta të vazhdojë derisa Hamasi të largohet plotësisht nga territori.
Thashethemet për një armëpushim të afërt kanë qarkulluar përsëri në javët e fundit, me zyrtarët e Hamasit dhe ata izraelitë që thanë se ishin më afër se kurrë një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit, do t’i lironte pengjet izraelite dhe qindra të burgosur palestinezë.
Megjithatë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha: “Unë nuk do të pranoj t’i jap fund luftës para se të largojmë Hamasin. Ne nuk do t’i lëmë ata në pushtet në Gaza. Nuk do të ndodhë”.
Yair Lapid, lideri i opozitës izraelite, tha: “Netanyahu nuk dëshiron një marrëveshje për shkak të politikës së tij”, shkruan the Telegraph.
“Ai po bën të njëjtin truk që ka bërë më parë; negociatat po përparojnë dhe po bëhen të mundshme dhe më pas ai deklaron se nuk do ta ndalë luftën dhe i sinjalizon Hamasit se nuk ka asnjë arsye për të bërë një marrëveshje me të”, shtoi Lapid.
Bëhet e ditur se Benny Gantz, ish-ministri i kabinetit të luftës dhe lideri i partisë së Unitetit Kombëtar, kritikoi Netanyahun për deklaratat në mediat e huaja dhe rrezikimin e bisedimeve të vazhdueshme dhe të brishta.
“Ju nuk keni një mandat për të penguar kthimin e pengjeve tanë përsëri për arsye politike”, tha Gatz.
Ndërkohë, Hamasi është shprehur i gatshëm për një marrëveshje nëse Izraeli ndalon “kërkesat e reja”.
Por, disa çështje mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë identitetin e çdo pengu izraelit dhe të burgosur palestinez që do të lirohej, si dhe prania e trupave të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Gaza. /Telegrafi/