Gjiganti i ushqimit nga Zvicra, Nestle, njoftoi se ka bërë një marrëveshje në vlerë prej 7.15 miliardë dollarë me zinxhirin ndërkombëtar të kafesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Starbucks.
Në deklaratën e publikuar nga të dyja kompanitë, thuhet se “Nestle do t’i paguaj 7.15 miliardë dollarë kompanisë Starbuck për të drejtat e shitjes, shpërndarjes dhe marketingut të produkteve të paketuara si kafeja dhe çaji në mbarë botën”, përcjell Telegrafi.
Më tej është theksuar se produktet e paketuara të Starbuck vitin e kaluar kanë sjellë shitje prej dy miliardë dollarë. Bëhet e ditur se në kuadër të marrëveshjes 500 punëtorë të Starbucks do t’i bashkohen Nestle-së.
Shefi ekzekutiv i Nestle, Mark Schneider, theksoi se marrëveshja është një hap i rëndësishëm për fushën e kafes e cila është kategoria më e madhe për rritje të Nestle.
Ndërsa, shefi ekzekutiv i Starbucks, Kevin Johnson, tha se në sajë të marrëveshjes produktet e Starbucks do të arrijë në miliona shtëpi në mbarë botën.
Ekspertët theksojnë se Nestle me anë të marrëveshjes mundohet që të rrisë përqindjen e saj në tregun e kafes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/