Telegrafi

Nesër vihet gurthemeli i autostradës energjetike

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, të mërkuren zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është paraparë të mbahet mbledhja e parë e Komitetit Drejtues për themelimin e tregut të përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë.

Gjiknuri do të jetë në krye të një delegacioni në përbërje të të cilit do të jenë Kryetari i Entit Rregullator të Shqipërisë Petrit Ahmeti, administrtaori i OSHEE-së, Adrian Çela, administratori i OST-së, Engjell Zeqo dhe administratori i KESH-it, Agron Hetoja.

Delegacioni me në krye ministrin Gjiknuri do të pritet në takim nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci. Nën drejtimin e dy ministrave do të mbahet mbledhja e parë e Komitetit Drejtues për themelimin e tregut të përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë.

Sipas axhendës së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, pas takimit të dy ministrave dhe mbledhjes së parë e Komitetit Drejtues për themelimin e tregut të përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë, në mesditë të dy ministrat do të vëjnë gurthemelin e Linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri. /Telegrafi/