Telegrafi

Nesër vendoset për kredinë nga Banka Botërore

Kuvendi i Kosovës dy herë radhazi nuk arriti ta ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore për grant dhe kredi në vlerë mbi 20.2 milionë dollarë për modernizimin e kadastrit dhe administratës publike.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se pavarësisht ankesave të deputetëve për mosinformim apo ndonjë çështje tjetër teknike, në asnjë mënyrë nuk do duhej të cenohej relacioni i ngritur me Bankën Botërore. Megjithatë, ai shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të ratifikohet.

“Unë jam optimist se para skadimit të afatit me BB-në, që është 7-8 qershori, ne do duhej t’i dërgonim BB-së një mesazh pozitiv. Në qoftë se ndodh e kundërta, në të vërtet relacionet e Kosovës me Bankën Botërore nuk do të jenë në nivelin që do duhej ta kishim”, thotë Shala.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu vlerëson se refuzimi apo mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës është anomali, duke marrë parasysh se ajo i hap rrugë Kosovës të përfitojë edhe rreth 200 milionë dollarë tjera, ndihmë për buxhetin e Kosovës.