Sipas nenit 8-b të Rregullores zgjedhore, pjesëmarrësit në procesin zgjedhor do të nënshkruajnë Kodeks për zgjedhje fer dhe demokratike, përcjell Telegrafi Maqedoni. Kodeksin për zgjedhje fer dhe demokratike do ta nënshkruajnë të gjithë kandidatët për kryetarë në të gjithë komunat e Republikës së Maqedonisë dhe qytetit të Shkupit, në mënyrë të sinkronizuar më 24 shtator, në ora 12.
Me këtë Kodeks, pjesëmarrësit në zgjedhjet lokale detyrohen dhe i premtojnë njëri-tjetrit, por edhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë se do t’i përmbahen dhe në mënyrë aktive do t’i promovojnë parimet e zgjedhjeve fer dhe të lira.
Nënshkruesit e Kodeksit hapur shprehin vullnet për ta respektuar të drejtën zgjedhore, e cila është e barabartë, e përgjithshme dhe realizohet në zgjedhje të lira me votim të fshehur.
Ceremonitë e nënshkrimit të Kodeksit janë nën organizim të komisioneve zgjedhore komunale dhe Komisionit zgjedhor të qytetit të Shkupit dhe kandidatët për kryetar të Bashkisë së Shkupit Kodeksin do ta nënshkruajnë në zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor./Telegrafi/