Telegrafi

“Nesër shuhen të gjithë operatorët ilegalë të telefonisë në veri”

Nesër përfundon afati shtesë i dhënë nga Autoritetit Rregullativ i Telekomunikacionit për shuarjen e operatorëve ilegal të telefonisë fikse dhe mobile që veprojnë në veri të vendit. Kështu ka bërë të ditur drejtori i bordit të ARKEP- it, Kreshnik Gashi.

Gashi ka bërë të ditur se dy operatorët ilegalë Telenor dhe VIP, janë të obliguar që nga 1 Maji të bëjnë ndërprerjen e të gjitha sinjaleve të cilat kanë operuar deri tani në territorin e Republikës së Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

“Dihet se në një proces të caktuar, në bazë të marrëveshjes së Brukselit është licensuar një operator i përkohshëm i kufizuar, ndërsa në anën tjetër kanë ekzistuar edhe dy operatorë që kanë vepruar në anën veriore të Kosovës. ARKEP i ka dhënë një afat përfundimtar këtyre dy operatorëve operatorit Telenor dhe operatorit VIP që data 1 maj 2017 të jetë data e fundit kur ata do të mund të ndërpresin operimet në Republikën e Kosovës”, tha Gashi për RTV 21.

Gashi shtoi se të dy këta operatorë ilegalë e kanë konfirmuar se me datën 1 Maj do t’i mbyllin të gjitha operimet, derisa AKREP me datën 2, do të bëjë menjëherë matjet për të vërtetuar nëse janë ndërprerë të gjitha sinjalet.

Në rast se këta operatorë nuk e ndërpresin fushë-veprimtarinë e tyre, Autoritetit Rregullativ i Telekomunikacionit do të ndërmarrë masa ligjore ndaj tyre.