Site icon Telegrafi

Nesër seanca për rritjen e dënimit për rastin e vrasjes së Kujtim Veselit

Në Gjykatën e Apelit nesër duke filluar nga ora 10:15 do të mbahet seanca për shqyrtimin e ankesës për rritjen e dënimit për rastin e vrasjes së Kujtim Veselit.

Gjykata Themelore në Prishtinë me 12.10.2020 ka shpallur aktgjykimin me të cilin e ka dënuar Sefedin Osmanin me 25 vjet burgim për vrasjen dhe dhunimin seksual të Kujtim Veselit. Me anë të ankesës, familja e Kujtimit ka kërkuar që ky dënim të rritet.

“Ftoheni në prononcimin për media që do e mbajmë pas përfundimit të seancës gjyqësore, tek Gjykata e Apelit në Prishtinë. Para mediave do të flasë Rina Kika, avokatja e familjes së Kujtimit. Ju mirëpresim! Aktivistë të fushatës Drejtësi për Kujtimin”, thuhet në njoftim.

Rreth katër muaj më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.O. për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dhunim”.

I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 vjet për veprat penale “Vrasje e rëndë dhe Dhunim”, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019. /Telegrafi/

Exit mobile version