Telegrafi

Nesër seanca për votëbesimin e qeverisë, OBRM-PDUKM-ja e bindur në rrëzimin e Qeverisë Zaev

Nesër në Kuvendin e Maqedonisë do të mbahet seancë për iniciativën e OBRM-PDUKM-së për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Zoran Zaevit.

Këtë edhe një herë e konfirmoi sot koordinatori i grupit parlamentar të opozitës maqedonase Dragan Danev, i cili deklaroi se shpresojnë që shumica e deputetëve të Kuvendit do të marrin parasysh interesat e shtetit.

Nga kjo parti thonë se korrupsioni dhe paaftësia janë arsyet kryesore për dorëzimin e iniciativës për rrëzimin e Qeverisë së Zaevit, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ndërsa nga LSDM thonë se është dëshpërues fakti që një parti e madhe si OBRM-PDUKM-ja të justifikojë kthimin në punën e Kuvendit përmes interpelancës.

Partitë shqiptare akoma nuk janë deklaruar për këtë iniciativë të OBRM-PDUKM-së. Të vetmit që kanë dalur me qëndrim janë deputetët e Lëvizjes Besa të krahut të Afrim Gashit, të cilët thanë se nuk do ta mbështesin këtë mocion për votëbesim të qeverisë.

Ndërsa partitë tjera si BDI, PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët akoma nuk kanë zbardhur qëndrimet e tyre dhe pritet të shihet se si do të votojnë nesër në Kuvend.

Mocioni për votëbesimin e qeverisë që të kalojë, duhet të mbështetet me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht të votohet nga 61 deputetë në Kuvend, ndërsa deputetët të cilët kanë dorëzuar këtë iniciativë do të ketë mundësi që fjalim në foltore të mbajnë dy herë./Telegrafi/