Site icon Telegrafi

Nesër seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Që nesër deputetët e posazgjedhur edhe zyrtarisht do të ulen në kolltukët e deputetëve pasi që para 20 ditëve morën mandat nga qytetarët. Seanca e cila është caktuar për në ora 11, ka katër pika.

Së pari zgjidhet komisioni për verifikim, i cili ka për obligim që të verifikojë mandatet e deputetëve, e më pas do të vijojë edhe zgjedhja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Sipas Rregullores së re, seanca konstitutive mund të zgjasë më së shumti 3 ditë, ndërsa përfundon pas zgjedhjes së kryetarit të shtëpisë ligjvënëse, i cili me shumë gjasa do të jetë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Pasi që paraprakisht kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski, e caktoi, nesër seancën do ta udhëheq deputeti më i vjetër, përkatësisht Merita Kollçi Koxhaxhiku, nga Lidhja Demokratike e Izet Mexhitit.

Me konstituimin e përmbajtjes së re parlamentare do të hartohet edhe shumica e re, e cila, siç është e ditur do ta ketë koalicioni i OBRM-PDUKM-së që pas negociatave që u mbajtën këto ditë duhet t’i bashkohet edhe VLEN dhe deputetët e ZNAM. Me këtë shumica e ardhshme paralmentare po i afrohet numrit të 2/3.

Përndryshe mandat për deputet për herë të parë mori kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski i cili do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë së re. Disa nga deputetët e shumicës së re parlamentare në ulëset e deputetëve do të jenë vetëm një kohë të shkurtër sepse një pjesë e madhe prej tyre do të shkojnë në kabinetin e ri qeveritar.

Situata është e ngjashme edhe me deputetët e koalicionit VLEN, liderët e të cilit u zgjodhën për deputetët, por pritet që disa prej tyre do të shkojnë në ekzekutiv, ose të vazhdojnë punën si kryetar komune.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e deritanishëmtë qeverisë do të jenë në karriget e parlamentit të destinuara për opozitën. Ish-kryeministri dhe kryetari i LSDM-së në largim Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministri për ekonomi Fatmir Bytyqi, ish-ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, ai i bujqësisë Lupço Nikollovski, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, për punë dhe politikë sociale, Jovana Trençevska, për transport dhe lidhje Bllagoj Boçvarski, si dhe ish-drejtoreshë e DAP-it Sanja Llukarevska.

Nga radhët e BDI-së, sërish deputet do të jetë kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, e bashkë me të edhe ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ish-ministrat e kësaj partie nuk janë në përbërjen e re parlamentare.

Exit mobile version