Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se të shtunë, më 10 tetor do të mbahet afati i dytë për provimin e Maturës Shtetërore 2020.
MASH njofton se rreth 8300 nxënës kanë paraqitur testin e Maturës Shtetërore 2020 për afatin e dytë.
Mbajtja e testit do të fillojë në orën 10:00, dhe do të mbahet në 84 qendra të testimit në gjithë Kosovën.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka bërë të gjitha përgatitjet që edhe afati i dytë i këtij testi, i cili këtë vit po mbahet në kushte të pandemisë COVID-19, të shkojë sipas planifikimit.
Komisioni Shtetëror i Maturës bën të ditur se në këtë proces do të jenë të angazhuar 252 komisionerë, 900 administrues dhe 84 mbikëqyrës dhe testi do të mbahet nën masa të shtuara të kujdesit për ruajtjen e shëndetit të të gjithë pjesëmarrësve në proces.
Edhe kësaj radhe, mediet mund të kenë qasje nëpër qendra të testimit, në koordinim me komisionin e qendrës së testimit, deri në orën 09:30”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/