Telegrafi

Të hënën publikohen vendimet e PZAP-së për Prishtinën, Prizrenin dhe pesë komuna tjera (Video)

Nesër do të bëhen publike vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Klinës, Istogut, Rahovecit, Kamenicës dhe Shtimes.

Zyrtarë të PZAP-së i kanë thënë RTK-së se edhe pse afati ligjor ka kaluar në orën 15:00 të së dielës, zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dalë me vendim për këto ankesa.

LDK është ankuar për Kamenicën, Istogun dhe Prishtinën, përderisa PDK për Prizrenin, Klinën dhe Rahovecin. Një ankesë në PZAP ka bërë edhe kandidati i pavarur për kryetar të Shtimes, Fatmir Rashiti.

Zyrtarë të PZAP-së kanë thënë se të hënën do të bëhen publike vendimet që kanë marrë si Panel e që subjektet politike kanë afat 24 orë nga marrja e vendimeve që t`i drejtohen Gjykatës Supreme, kurse kjo e fundit brenda 72 orësh duhet të marrë vendim për këto ankesa.