Në shenjë pakënaqësie me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për dënimin me burg prej 7 vitesh për Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, punëtorët e Administratës komunale dhe ata të shëndetësisë kanë paralajmëruar për të mërkurën një protestë një orëshe para objektit të Komunës së Skenderajt.
Sipas njoftimit nga Komuna, Këshilli i Punëtorëve të Administratës komunale dhe Shëndetësisë në Komunën e Skenderajt ka bërë thirrje për protestë një orëshe para objektit të Komunës së Skenderajt, për të shprehur kundërshtimin e tyre me rastin e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit kundër Sami Lushtakut.
“Protesta ka për qëllim kundërshtimin e padrejtësive që po i bëhen Kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku me procese të motivuara politikisht. Organizatorët e protestës do t’i bëjnë thirrje Gjykatës Supreme ta zhveshë drejtësinë nga politika”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Protesta do të mbahet para objektit të Komunës së Skenderajt nga ora 08:00 deri në ora 09:00.
Ndryshe përmes një reagimi tjetër, Komuna e Skenderajt e vlerëson aktgjykimin e Gjykatës së Apelit si sakandaloz dhe tendencë për të justifikuar gabimet e sistemi të drejtësisë duke e shpalluar të pafajshëm Lushtaku për akuzat për vrasje, e në anën tjetër duke e dënuar atë me akuza absurde dhe të paqena.
“Dënimi pa fakte për vrasje në shkallën e parë dhe dënimi i sotëm që ndërlidhet me përgjegjësinë komanduese të z. Lushtaku janë totalisht të pabazuara dhe të pafaktuara”,thuhet në reagim.
“Si dënimi në shkallën e parë ashtu edhe ky i sotmi janë të orkestruara politikisht më qëllim të eënimit të integritetit personal e publik të z. Lushtaku. Çdo ditë, edhe pse shumë ngadalë, po shpërfaqen qëllimet e ndjekjes ndaj z. Lushtaku, që kanë të bëjnë me dëmtimin e autoritetit dhe popullaritetit të tij si komandant i UÇK-së dhe si Kryetar komune”.
“Ne e dimë se z. Sami Lushtaku nuk ka bërë asnjë nga krimet e supozuara nga të dy shkallët e gjykatave, mirëpo a do t’i duhet drejtësisë në Kosovë që ta vërtetojë pafajësinë e z. Lushtaku edhe për disa vite të tjera, kjo është pyetja që më të drejtë e bënë sot çdo qytetar i Skenderajt.
Sami Lushtaku dhe veprimtaria e tij patriotike dhe politike në shërbim të çlirimit dhe ndërtimit të Kosovës, është dhe do të mbetet e pastër si loti. koha e ka dëshmuar, po e dëshmon dhe do ta dëshmojë këtë”, thuhet në reagimin e Komunës. /Telegrafi/