Telegrafi

Nesër pritet vendimi përfundimtar për ministrin teknik të MPB-së

Ministri Oliver Spasovski, i cili nga tre janari pritet të jetë kryeministër teknik shprehet i sigurt se Mickoski nesër do të japë propozim të ri dhe se Qeveria teknike do të formohet të premten, më tre janar.

Spasovski vazhdon edhe më tej të mbajë qëndrimin se Dragan Kovaçki s’mund të jetë ministër ndërsa për propozimet tjera të opozitës maqedonase nuk ka vërejtje.

Mickoski njoftoi se nesër do të njoftojë opinionin për vendimin përfundimtar nëse do të japë propozim të ri për ministër teknik në MPB ose do të mbajë qëndrimin se Kovaçki duhet të udhëheqë këtë ministri gjatë 100 ditëve.

Për ministër për Punë dhe Politikë Sociale është propozuar Rashela Mizrahi, për zëvendësministër për Shoqëri Infromatike dhe Administratë, deputetja aktuale Nevenka Stamenkovska, në financa Gordana Koçoska dhe në bujqësi Cvetan Trupinovski.

Nga LSDM javën e kaluar njoftuan se krahas Spasaovskit i cili do të jetë kryeministër teknik, Carovska do të jetë zëvendëskryeministrja për Çështje Ekonomike ndërsa zëvendësministër në MPB do të jetë Slavjanka Petrovska, në MPPS Sanela Shkijel.

Qeveria teknike duhet të formohet deri të premten dhe po atë ditë pritet që Zaev ta dorëzojë dorëheqjen e tij./Telegrafi/