Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendimin për ngritjen e lapidarit për ushtarët e NATO-s të rënë në Kosovë, pas hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë më 12 qershor 1999.
Kjo nismë është marrë për të nderuar sakrificën e ushtarëve të rënë gjatë misionit paqeruajtës në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tyre për ruajtjen e paqes, krijimin e kushteve për një jetë të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ky lapidar i ngritur në sheshin “Nëna Terezë” të Prishtinës do të përurohet nesër në orën 11:00.
Të pranishëm do të jenë drejtuesit shtetërorë dhe politikë të vendit, përfaqësues nga NATO-ja, ish-komandantë të KFOR-it, familjarë të të rënëve, përfaqësues të shteteve të tyre dhe të ftuar të tjerë.
Lapidari shpreh mirënjohjen për ushtarët e rënë, për familjet e tyre dhe shtetet e tyre në shërbim të paqes dhe sigurisë, por edhe dëshmi e shprehjes së mirënjohjes për ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it.