Site icon Telegrafi

Nesër përfundon afati që të arrijnë fletëvotimet nga diaspora – deri tani KQZ ka pranuar 4 mijë e 590 pako

Nesër është afati i fundit që të arrijnë fletëvotimet nga diaspora, ndërsa deri tani numri i pakove të supozuara me fletëvotime nga diaspora është 4 mijë e 590.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Numri i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat janë tërhequr nga shërbimi votues i KQZ-së, deri më 13 tetor, është 4,590”, ka thënë ai.

Periudha e votimit përmes postës ka filluar më 15 shtator dhe zyrtarisht përfundon më 15 tetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përpiluar listën me votuesve jashtë Kosovës, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe këta emra (15,532) i ka larguar nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është: 15 mijë e 532 votues. Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës kishte filluar më 10 korrik dhe është përmbyllur më 18 gusht 2021.

Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor.

Zgjedhjet lokale do të mbahen ditën e diel, më 17 tetor. /Telegrafi/

Exit mobile version