Telegrafi

Nesër pastrohet rruga “Aziz Zhilivoda” dhe hapësirat rreth shkollës “Hilmi Rakovica” në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të shtunën nga ora 09:00, do të bëhet pastrimi gjeneral i rrugës “Aziz Zhilivoda” dhe hapësirat te Shkolla Fillore “Hilmi Rakovica”.

Në njoftim bëhet e ditur se do të pastrohen edhe parkingjet përreth, rrugët lidhëse, si dhe hapësirat tjera publike në këtë zonë.

“Më pas do të bëhet edhe pastrimi i sipërfaqeve të gjelbëruara në këto hapësira. U bëjmë thirrje banorëve të lagjes që në këtë ditë të mos i parkojnë automjetet në parkingun paralel me shiritat qarkullues të rrugës dhe as në trotuare për të mos penguar në realizimin e punimeve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Tutje, janë lutur qytetarët për bashkëpunim ngase siç thuhet, në rast të mosrespektimit të këtij njoftimi, komuna nuk merr përgjegjësi për dëmtime të veturave apo mjeteve tjera motorike në këto rrugë dhe hapësira tjera publike të kësaj zone. /Telegrafi/