Telegrafi

Nesër nisin “Javët e Frankofonisë 2018”

Ambasada e Francës në Kosovë bën të ditur se nga nesër më 7 mars e deri më 31 mars, do të zhvillohet edicioni i 18-të i “Javëve të Frankofonisë 2018”.

Ky aktivitet organizohet mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, ambasadave dhe përfaqësive diplomatike të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleancës Franceze të Prishtinës.

Tri “Javët e Frankofonisë” shquhen nga një shumëllojshmëri ngjarjesh: koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca, aktivitete për të rinj. Artistë dhe personalitete franceze do të qëndrojnë në Kosovë, të tillë si pop këngëtarët Charles Baptiste dhe Jo Edgar, grup hip-hopJo2Plainpose, shefi i kuzhinës Christophe Dovergne…

Gjate Javëve të Frankofonisë do të ketë po ashtu aktivitete universitare, një prezantim rreth studimeve në Francë dhe një simpozium mbi të ardhmen e gjuhës frënge në arsimin universitar. Do të propozohen edhe ngjarje për të rinj.

Për të festuar Ditën Ndërkombëtare për të drejtat e grave më 8 Mars, do të organizohen disa aktivitete përfshirë një konferencë të organizuar nga OSBE-ja dhe Ambasada e Francës për çështjen e qasjes së grave në pronë në Kosovë, si dhe recitime teatrale në nder të grave pioniere.

Ngjarjet në Universitet kanë gjithashtu për qellim të festojnë anëtarësimin e Universitetit të Prishtinës në rrjetin e Agjencionit Universitar të Frankofonisë dhe inaugurimin e Qendrës Universitare Frankofone. /Telegrafi/