Nesër në ligjëratat e xhumasë, në të gjitha xhamitë e Kosovës, do të jepet mesazh kundër përdorimit të narkotikëve, në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës së Qeverisë të themeluar për këtë qëllim.
“Të enjten e kaluar, më 18. 07. 2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava është takuar me shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, Avdullah Hasanin. Nga takimi me Hasanin, Myftiu Tërnava ka marrë vendimin që hytbeja e kësaj të premteje (e ditës së nesërme) të jetë e njësuar në mbështetje të veprimtarisë së Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve”, thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Tutje në njoftim thuhet se, Myftiu Tërnava ka vlerësuar si shumë të qëlluara dhe ka përgëzuar qeverinë për vendimet e saj për të themeluar Task-Forcë dhe për fillimin e fushatës kundër përdorimit të narkotikëve në shkolla dhe përgjithësisht nga të rinjtë dhe ka shprehur gatishmërinë që Bashkësia Islame t’i ofrojë Task-Forcës në gjithë veprimtarinë e saj asistencën e kërkuar fetare./Telegrafi/