Mbi 30 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen nesër pjesës së parë të provimit shtetëror të maturës, ndërsa pjesa e dytë e testimit do të mbahet me 24 qershor.
Gjatë ditës së nesërme maturantët do t’i nënshtrohen provimit në lëndët gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë.
Kalueshmëria e këtij testi është 40 për qind të pikëve, ku ata maturantë që arrijnë këtë përqindje kalojnë maturën shtetërore dhe pajisen me certifikatë.
Ndërsa, në rast të identifikimit se maturantët kanë kopjuar gjatë procesit të testimit ata mund të ndëshkohen që të humbin provimin e maturës deri në një vit, kurse për administratorët masat janë duke filluar gjoba nga mjetet e deri tek masa të tjera më të rënda.
Këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri, në një intervistë për KosovaPress ka bërë të ditur se Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë të gjitha përgatitjet që nesër të mbahet pjesa e parë e provimit shtetëror të maturës.
Sipas tij, pjesa e parë e testimit ka 100 pikë, po i njëjti numër i pyetjeve do të jenë edhe në pjesën e dytë.
Pjesa e dytë e testimit të maturës shtetërore do të mbahet me 24 qershor, ku këshilltari i Ministrit të Arsimit, Azem Guri, tha se të gjitha aktivitetet të cilat do të bëhen janë në koordinim edhe me universitetet kur ato shpallin konkurset për regjistrim në fakultete.
Në 200 qendra të testimit janë të angazhuar rreth 2 mijë e 100 administrues dhe rreth 600 mbikëqyrës ose komisionarë. Guri bëri të ditur se në klasë do të jenë nga 15 maturantë, ku në çdo 15 maturantë do të jetë i angazhuar një administrues.
Kurse, në çdo 5 dhoma të mësimit do të jetë i angazhuar një mbikëqyrës.
Guri bëri të ditur se edhe maturantët edhe administratorët janë të njoftuar me të gjitha detajet se çka ju lejohet të bëjnë gjatë procesit të testimit, ndërsa për ata të cilët kopjojnë ai tha se rrezikojnë të humbin provimin e maturës shtetërore deri në një vit.
Ai njoftoi se gjatë testimit maturantëve nuk do të ju lejohet që të kenë me vete telefonat, ku ai tha se në momentin e hyrjes në klasë nga administratori do të ju kërkohet që ata të cilët posedojnë telefona ti dorëzojnë.
Publikimi i rezultateve të Maturës Shtetërore do të bëhet me 30 qershor, ndërsa të gjitha ata që kanë ankesa këtë mund ta bëjnë nga 1 deri me 5 korrik.
Ndërsa, në rast të mos arritjes së 40 për qind të pikëve maturantët kanë të drejtë të hyjnë në provim përsëri në afat të gushtit, i cili do të mbahet me 26 gusht pjesa e parë dhe pjesa e dytë me 5 shtator. /kp/