Telegrafi

Nesër mbahet kampionati shtetëror në zgjidhjen e enigmave

Kampionati mbahet në Sallën e Konferencës në Hotelin “Grand” në Prishtinë dhe fillon prej orës 11:00. Pjesa finale zhvillohet prej orës 14:00.

Ky kampionat organizohet në një mënyrë krejtësisht tjetër nga kampionatet dhe garat tjera që janë organizuar deri sot te ne: në pjesën e parë të tij do të marrin pjesë 100 garues, nga të cilët tre më të mirët do të zhvillojnë garën suplementare, që do të jep renditjen përfundimtare të tre më të mirëve. Pastaj, në këtë kampionat çdo garues do t’i zgjidhë nga gjashtë lloje enigmash (fjalëkryq, sudoku, plotësor i anagramuar, anagram, rebus dhe problem logjik), që ka për qëllim të nxit zhvillimin edhe të llojeve të enigmave, të cilat te ne kultivohen më rrallë.

Tri vendet e para do të shpërblehen me diploma dhe kupa si dhe e drejta që ta përfaqësojnë Kosovën në kampionatin botëror të enigmatikës. Ndërsa kampionit, përveç këtyre, do t’i takojë edhe shpërblimi në të holla prej 500 eurosh.

Kampionati i sivjetmë ka edhe karakter manifestimi dhe me atë rast organizatori ka paraparë që veteranët e enigmatikës kosovare t’i nderojë me mirënjohje të posaçme.

Me këtë rast organizatori fton të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike që ta përcjellin këtë ngjarje, që begaton format e manifestimeve, me të cilat shënohet përvjetori i parë i Pavarësisë.

Driton Sejdiu