Vetëm një ditë ka mbetur deri në hapjen e festivalit më të madh në Ballkan për art në hapësira publike Meeting of Styles(MOS).
Ky organizim është një prej eventeve më interesante dhe kreative, me ç’rast artistët nga e gjithë bota do të vijnë në kryeqytet dhe të zbukurojnë muret e Prishtinës duke i bërë ato shumëngjyrëshe.
Festivali Meeting of Styles është festival që mbledhë mbi 100 artistë të muraleve dhe grafiti artistë nga e gjithë bota me idenë e pasurimit të mureve me vepra artistike. Prezent do të jenë artistë nga vende të tilla si Rusia, Meksika, Kanada, Argjentina, Ekuadori, Brazili si dhe shqiptarë nga diaspora të cilët kanë deklaruar se do të vijnë veçanërisht për festivalin Meeting of Styles.
Në këtë organizim synohet nxitja e artistëve në realizimin dhe ideimin e veprave artistike nëpër hapësirat publike të Prishtinës.
Bazuar në kontaktet e deritashme, pritet që aktivitetet të përcillen nga rreth 5,000 vizitorë në tre ditët sa do të mbahet ky festival.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shikojnë artistët duke krijuar veprat e tyre, të shoqërohen me artistë nga kultura të ndryshme dhe të shijojnë gjallërinë rinore që do të mbretërojë gjatë atyre ditëve të festivalit.
Meeting of Styles do të mbahet me datat 18-20 Maj në rrugën B në Prishtinë. Prandaj të gjithë të interesuarit mund të bashkangjiten dhe të shijojnë tre ditë plot ngjyra dhe art.