Site icon Telegrafi

Grevë njëorëshe në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë pritet të mbajnë nesër serish grevë, pasi përpjekjet për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre deri më tash nuk kanë treguar rezultate.

“Punëtorët janë të vendosur në kërkesat e tyre për çka edhe kanë vendosur përmes delegatëve të tyre të shkojnë në grevë, siç kemi paralajmëruar në protestën paqësore të datës 8 gusht, se më datën 19 gusht do të kemi grevë njëorëshe duke filluar prej orës 08.00- 09.00 dhe më datë 20.08.2019 grevë dy orësh duke filluar prej orës 08.00-10.00, si dhe më datën 21 do të mbajmë grevë gjithë-ditore”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të ANP ‘Adem Jashari’.

Në grevë do të marrin pjesë të gjithë punëtorët e shërbimeve që nuk janë të rëndësisë jetike.

Sindikalistët e Aeroportit kanë ftuar menaxhmentin që të koordinohet me sindikatën për të caktuar minimumin e shërbimeve, në mënyrë që të garantohet siguria dhe të evitohet çfarëdo rrezikimi i jetës dhe sigurisë.

Gjithashtu theksohet se greva do ndërpritet në ndonjë rast emergjent.

Sindikata edhe njëherë ka ftuar menaxhmentin në dialog, në mënyrë që greva të ndalohet.

Punëtorët, të përfaqësuar nga Sindikata e Pavarur, kanë paralajmëruar masa të tilla, shkaku i pakënaqësive në trajtimin e punëtorëve, pasi ka pasur raste ata janë gjobitur nga menaxhmenti deri me 16 mijë euro, ndërkohë për shkak të kushteve jo të mira, rreth 100 punëtorë kanë lëshuar punën.

Kërkesat e sindikalistëve janë shtesat e rrezikshmërisë për detyra me ekspozim direkt në dëmtim të shëndetit, pushimi vjetor, eliminimin e dallimeve në paga, si dhe shujta.

Ndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar se përkundër grevës së paralajmëruar, të gjitha fluturimet e planifikuara për datat 19 deri më 21 gusht, do të realizohen në kohë.

Exit mobile version