Ministri Krasniqi ka përgëzuar Federatën e Boksit për angazhimin që ka bërë në ndërkombëtarizmin e boksit si dhe organizim e garave brenda territorit të Kosovës. Ai vlerësoi në veçanti përkushtimin që kjo federatë, bashkë me shumë akterë tjerë, ka treguar për organizimin e këtij turneu, të 15-tin me radhë dhe të parin si turne zyrtar ndërkombëtar.
Ramadan Selimi, kryetar i Federatës së Boksit dhe kryesues i Këshillit Organizativ ka falënderuar ministrin për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar për federatën e në veçanti për këtë turne. Ai e ka njoftuar ministrin me përgatitjet që janë bërë për këtë turne, duke thënë se kanë punuar shumë që organizimi të jetë sa më i mirë.
Turneu i sivjetmë do të zhvillohet më 16 e 17 nëntor. Më 16, në Prishtinë zhvillohen gjysmëfinalet, kurse meçet finale do të organizohen në Gjilan.
Pjesëmarrjen në këtë turne e kanë konfirmuar nëntë shtete: Shqipëria, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia, Bullgaria, Italia, Kroacia e Zvicra, që bashkë me boksierët nga Kosova e çojnë numrin e shteteve në 10. /Koha/Telegrafi/