Telegrafi

Nesër fillon sezoni dimëror për shoferët

Të shtunën më 15 nëntor fillon sezona dimëror e cila zgjatë deri më 15 mars 2015. Për këtë qëllim është realizuar takimi në mes Policisë së Kosovës (Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Njësisë për Kontroll të Autostradave, Njësiteve Rajonale të Komunikacionit Rrugor) dhe Ministrisë së Infrastrukturës (Këshilli për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Drejtoria e Rrugëve, si dhe menaxherët regjional nga kjo ministri).

Qëllimi i takimit ishte diskutimi lidhur me përgatitjet rreth mirëmbajtjes së rrugëve gjatë sezonit dimëror, si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve në funksion të sigurisë më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor.

Vlen të ceket se Policia e Kosovës ka hartuar planet operative të nevojshme për këtë sezon, për të ofruar siguri më të madhe për pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor.

Kurse, nga Drejtoria e Rrugëve, u potencua se edhe ky institucion ka bërë përgatitjet e nevojshme lidhur me mirëmbajtjen e rrugëve gjatë kësaj periudhe kohore.

Në fund të takimit u dakorduan që të intensifikohet koordinimi dhe bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve (Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës) në interes të sigurisë më të madhe në komunikacionin rrugor./Telegrafi/