Faza e tretë dhe e fundit për zbatimin e marrëveshjes së Prespës do të fillojë nesër (9 janar), kur është caktuar seancë në Kuvend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Që të kalojë teksti i amendamenteve kushtetuese të propozuar nga Qeveria, duhet të mbështeten nga së paku dy të tretat e deputetëve në Kuvend ose 80 deputetë të votojnë “pro”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryeministri Zoran Zaev është shprehur optimist se do të sigurohen 80 vota në Kuvend në votimin final për zbatimin e marrëveshjes së Prespës, e cila parasheh ndryshime kushtetuese në Maqedoni.
Zaev ditëve të fundit ka pasur takim me kryetarin e Lëvizjes Besa Bilall Kasami dhe përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët, parti të cilat kanë dorëzuar amendamente tjera, përveç atyre të Qeverisë. Ndërsa OBRM-PDUKM ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në procesin e ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshe, pasi të përfundojë procesi i ndryshimeve kushtetuese përfundon procedura në Maqedoni, ndërsa më pas “topi hidhet” tek Greqia, e cila gjithashtu me shumicë votash të deputetëve duhet të ratifikojë marrëveshjen.
Kryeministri Zaev gjatë javës së kaluar deklaroi se i beson fjalës së homologut të tij grek Alexis Tsipras dhe se marrëveshja do të ratifikohet në Greqi pa probleme./Telegrafi/