Partia Demokratike e Kosovës do ta fillojë nesër Konventën e 8-të Zgjedhore, në të cilën do të zgjedhë strukturat e reja drejtuese.
Dhe për këtë, nga subjekti më i madh në vend thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
I kontaktuar nga Telegrafi, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se konventa do të zgjasë dy ditë.
“Nesër fillojmë Konventën Zgjedhore, ku marrin pjesë të gjitha strukturat e partisë, nga Kryesia, Këshilli Drejtues dhe degët. Të gjitha përgatitjet tashmë janë bërë. Konventa do të zgjedh organet drejtuese të reja të partisë, sipas statutit të partisë dhe rregulloreve të KQZ-së”, ka thënë Ismaili për Telegrafin.
Ai ka shtuar se në Konventë do të diskutohet edhe për zhvillimet e përgjithshme në vend e po ashtu do të nxirret edhe një Deklaratë Politike për to dhe për vizionin e PDK-së për të ardhmen në angazhimet politike dhe institucionale.
Por përveç pjesës së punës, PDK-ja do të ketë edhe takimin me degët dhe simpatizantët, në të cilin kryetari Kadri Veseli do të mbajë një fjalim.
“Pjesa e dytë e Konventës mbahet të dielën dhe është festive. Është një ri-takim i degëve dhe anëtarësisë. Në këtë ceremoni kryetari do të mbajë një fjalim përmes të cilit do të paraqet platformën e re politike dhe programore të partisë”, deklaroi nënkryetari i PDK-së.
“Kjo konventë do ta rikonfirmoj edhe njëherë PDK-në si partinë më të organizuar në vend dhe subjekti që në vazhdimësi avancon dhe reformon politikat programore”, ka thënë Ismaili.
Ndryshe, tash e disa javë, kreu i kësaj partie, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës ka filluar një turne dëgjimi me qytetarë në të cilin po flitet për gjendjen e përgjithshme në vend dhe idetë që qytetarët kanë për zgjidhjen e problemeve. /Telegrafi/