Me fillim në mesditë nesër banorët e vendbanimit Llagadin të Ohrit, në afërsi të lokacionit të planifikuar për plazhin Mediteran do të tubohen për protestë në mbrojtje të vendbanimit të tyre, por edhe gjithë bregut të Ohrit nga shkatërrimi i mëtutjeshëm urbanistik, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Qëllimi kryesor i këtij protesti, krahas parandalimit të ndërtimit të hotelit të kontestueshëm, është kthimi i vëmendjes së publikut dhe institucioneve drejt veprimeve që shkatërrojnë pasuritë natyrore të Ohrit, liqenin dhe Parkun Kombëtar Galiçica, ndërtime të cilat zakonisht arsyetohen me dëshirat për zhvillim dhe avancim të turizmit në vend.
‘Ftojmë të gjithë banorët të cilët nuk pajtohen me dhunën urbanistike, ekologjike dhe atë të zërit në rajonin e Ohrit të na bashkangjiten në këtë akt simbolik por shumë domethënës për ruajtjen e pasurisë autentike të rajonit të Ohrit’, thuhet në deklaratën e organizatorëve të protestës./Telegrafi/