Duke pasur parasysh dinamikën e debatit në Kuvend, ku për një javë janë konsumuar diskutimet vetëm për 3 deputetë, këto diskutime mund të zgjasin deri 4 muaj. Këtë përllogaritje e ka bërë gazetari dhe hulumtuesi Vlladimir Petereski.
Sipas tij, nëse merret parasysh se një deputet mesatarisht kushton 100 euro, atëherë del se në ditë, nga buxheti shpenzohen 10 mijë euro. Nëse diskutimi zgjat 4 muaj, sipas përllogaritjeve, kjo shumë mund të arrijë në 1 milion euro të shpenzuara vetëm për replika dhe vërejtje procedurale.
Petreski thotë se në këtë mënyrë, Maqedonia do t’i afrohej Venezuelës, ku pushteti tanimë 14 muaj nuk e njeh Kuvendin, ndërsa për këtë periudhë, Bruto Prodhimi Vendor i këtij vendi ra për 65%.
“Për çdo seancë, një deputet kushton 100 euro. Po të bëjmë një llogari, del se mbledhja e kuvendit vetëm për një ditë kushton 12 mijë euro. 10 ditë janë 120 mijë euro, 100 ditë janë 1 milionë e 200 mijë euro. Ne nuk dimë se sa mund të zgjasë kjo. Nuk do të ishte për t’u habitur nëse vijmë në një situatë si në Venezuelë. Si këtu, edhe atje, kryetari i atjeshëm, tanimë 14 muaj nuk i njeh rezultatet zgjedhore dhe Kuvendi nuk funksionon”, tha Vlladimir Petreski, gazetar dhe hulumtues.
Sipas ekonomistit Vlladimir Filipovski, nëse debati parlamentar zgjat me muaj, mund të vijë edhe deri te bllokimi proceseve të caktuara ekonomike.
Nga shërbimet parlamentare theksojnë se nuk kanë përllogaritur se sa saktësisht kushton një seancë. Supozimi i tyre është se ajo varion prej 10 deri 15 mijë euro, edhe atë në varësi të kushteve të motit, gjegjësisht uljes apo rritjes së konsumit të energjisë elektrike si dhe nga fakti se a është kuvendi në përbërje të plotë apo të pjesshme./Telegrafi/