Site icon Telegrafi

“Nëse do të kishte luftë” – 34 përqind e qytetarëve do të luftonin për RMV-në, 51 përqind jo

Sipas hulumtimit të “Gallup international” sot më pak njerëz në botë janë të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre, krahasuar me një dekadë më parë.

“Nëse ka luftë në të cilën do të përfshihej edhe shteti juaj, a do të luftonit për shtetin tuaj”. Në këtë pyetje me “po” janë përgjigjur 34 përqind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut, me “jo” janë përgjigjur 51 përqind, ndërsa me “nuk e di” 15 përdind.

Anketa është realizuar në 45 vende në botë, ndërsa janë intervistuar gjithsej 46.138 persona, nëpërmjet telefonit, online si dhe fizikisht, në periudhën prej tetorit deri në dhjetor 2023.

Në RMV fizikisht janë intervistuar 1.202 qytetarë të moshës së rritur, në periudhën prej 1 deri 21 dhjetor 2023.

Maqedonia e Veriut nuk është larg mesatares së vendeve evropiane, në lidhje me këtë çështje. Përqindja e atyre që do të luftonin për vendin e tyre në shtetet e BE-së, është 32 përqind, ndërsa e atyre që nuk do të luftonin është 47 përqind, kurse 21 përqind nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë përqindja e atyre që janë të gatshëm të luftojnë është shumë më e lartë. Në Shqipëri 60 përqind e të anketuarve janë përgjigjur se do të luftonin, ndërsa në Kosovë 79 përqind, ku vetëm 14 përqind e të anketuarve janë përgjigjur me “jo”.

Rezultatet në Serbi janë ngjashëm si në RMV. Atje 36 përqind e të anketuarve janë përgjigjur se do të luftonin për vendin e tyre, ndërsa 50 përqind janë përgjigjur me “jo”. Në Bosnjë e Hercegovinë 40 përqind janë përgjigjur “po”, ndërsa 42 përqind “jo”.

Kurse në vendin e parë në këtë anketë kanë dalë Armenia (96 përqind janë përgjigjur me “po”), Arabia Saudite (94 përqind kanë thënë “po”), Azerbejxhani (88 përqind), Pakistani (86 përqind) dhe Gjeorgjia (83 përqind).

Ndërsa të parët që janë përgjigjur me “jo” janë Italia (78 përqind), Austria (62 përqind, “Gjermania (57 përqind), Nigeria (54 përqind) dhe Spanja (53 përqin)./Telegrafi/

Exit mobile version