Kina ka ndërtuar një hapësirë të paneleve diellore, me një sipërfaqe sa 195 fusha të futbollit dhe e cila nëse shihet nga lart zbulon modelin e një kali galopant.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, projekti mbresëlënës, me një investim total prej 15 miliardë juanë, rreth 2,2 miliardë dollarë, përbëhet nga 196.320 panele diellore.
Stacioni fotovoltaik i energjisë ishte i lidhur me rrjetin, dhjetorin e kaluar, dhe u kurorëzua si “imazhi më i madh i paneleve diellore” nga Rekordet Botërorë të Guinness javën e kaluar.
I ndodhur në shkretëtirë, projekti është pjesë e një parku të energjisë diellore në Kubuqi, e cila është pjesë e përpjekjeve të qeverisë vendore për të eksploruar turizmin dhe burimet energjetike në shkretëtirë.
Ky projekt pritet të gjenerojë katër miliardë kWh çdo vit, shifër kjo që vlerësohet e mjaftueshme për të furnizuar me rrymë më shumë se tre milionë shtëpi të zakonshme kineze.
Kjo gjithashtu do të thotë se mund të shpëtojë më shumë se një milion ton qymyr, e cila është burimi kryesor i energjisë dhe burimi kryesor i ndotjes në Kinë.
Ndryshe, bëhet e ditur se në vitin 2017, një firmë energjetike me bazë në Hong Kong zbuloi një hapësirë të tillë me panele diellore në Provincën Shanxi të Kinës, e cila tregon modelin e dy pandave gjigante nga lart.
Panda Solar, e vendosur në Datong, thuhet se ka kushtuar rreth 50 milionë dollarë për tu ndërtuar. /Telegrafi/