Nga: Kirsty Major / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse kultura është pasqyra që reflekton gjendjen e shoqërisë, atëherë, duket se tani të gjithë jemi paksa të çrregullt – dhe po luftojmë për të gjetur energjinë për të marrë veten. Shenjat kanë qenë aty për një kohë të gjatë, me dridhjet që fillimisht u vërejtën nga sizmometrat e ndjeshëm kulturorë të parashikuesve të trendëve. Në vitin 2021, Sean Monahan shpiku termin “ndryshimi i atmosferës” [the vibe shift] në faqen e tij në Substack, për të shpjeguar kalimin nga vetëkontrolli dhe obsesioni për vetëpërmirësim i dekadës së dytë të shekullit XXI, te dekadenca kaotike e dekadës së tretë të shekullit XXI. Tre vjet më vonë, duket se ky “tërmet” më në fund ka goditur.
Teksti i vitit ishte, sigurisht, nga albumi Brat nga Charli xcx, dhe imazhi që e përmblodhi më së miri ishte videoja muzikore e singlit kryesor: ylli i popit që mbush një gotë verë të kuqe ndërsa qëndron në një pajisje vibrimi, duke e derdhur verën mbi bluzën e bardhë dhe duke ia dhënë një shikim sfidues kamerës. Në sfond, aktorja Rachel Sennott shfleton telefonin e saj mbi një top stërvitjeje, ndërsa aktorja dhe modelja Julia Fox tymos cigaren elektronike duke çorientuar një bodibilder. Nëse nuk është kërcim, është anim mbi varrin e kulturës së mirëqenies trupore. Mesazhi është: “Është në rregull të jesh paksa kaotik, fizikisht dhe mendërisht, dhe të shijojmë kohën që kemi”. Ndërsa pranonte një çmim në ceremoninë e Wall Street Journal Innovator Awards, muzikantja tha: “Për fat të mirë për mua, lavjerrësi i kulturës u lëkund në favor të kaosit, personalitetit dhe të veçantës”.
Në modë, koleksioni pranveror i Miu Miu përfshinte çanta të mbushura e të ngarkuara, ndërsa në pasarelën e vjeshtës së Balenciaga, etiketat dilnin nga rrobat e modeleve. Reklamat e suksesshme këto ditë, sipas konsulentit të strategjisë së markave [brendeve], Eugene Healey, janë kaotike dhe argëtuese. Në një postim në TikTok, ai tha: “Nëse markat do të vazhdojnë të më shesin diçka që nuk më duhet, të paktën le ta bëjnë një spektakël”. Kanë kaluar kohërat e reklamave të thjeshta dhe serioze mileniale, si ato të Airbnb-ve që premtonin se mund të “përkasësh kudo”.
Së bashku me kaosin, ekziston edhe shfrenimi, ndoshta një simptomë e koronavirusit të gjatë kulturor – teprimi është si përgjigje ndaj kufizimeve që përjetuam gjatë izolimit. Njerëzit kanë hequr dorë nga të qenit veganë, të gjithë po tymosin përsëri, dhe nëse vajzat e argëtimit [girly pop summer] – duke përfshirë emrat si Chappell Roanin dhe Sabrina Carpenterin bashkë me Charli xcx-in – janë ndonjë tregues, atëherë festat janë rikthyer.
Ndërkohë, arketipi përfundimtar i absurditetit, gotikes, është rikthyer. Bill Skarsgård luajti në ribërjen e filmit të errët me superhero, The Crow, Winona Ryder ripërsëriti rolin e saj si Lydia Deetz në Beetlejuice, dhe modelja vampirike, muzikantja dhe kuzhinierja e rrjeteve sociale (shihni habinë), Gabbriette, po bëhet gjithnjë më me ndikim.
Problemi me braktisjen e çdo kuptimi dhe përqafimin e nihilizmit është se mund të përfundosh në situata të dyshimta etike. Kur Nietzsche shkroi parashikimin e tij të zymtë për të ardhmen e njerëzimit, se “nuk ka dyshim se morali do të zhduket”, ai me siguri kishte parasysh spektaklin e Anna Sorokinit, mashtrueses së dënuar, me byzylykun elektronik të policisë në këmbën e saj, teksa shfaqet në programin Dancing with the Stars. Obsesioni ynë kolektiv me tregimet për mashtrime është shndërruar në një përqafim ironik e të hapur për mashtruesit.
Pyetja është, a po argëtohemi vërtet? Në sezonin e tretë të serialit Industry të HBO-së (zgjedhja e New Yorker-it për serialin televiziv të vitit), sasi të mëdha droge, alkooli dhe seksi ushqejnë akumulimin e pafund të parave dhe pushtetit, por asgjë prej tyre nuk u shfaq nën dritën shkëlqyese të filmave dhe serialeve të viteve ’80 të shekullit XX për “lakminë që është e mirë”. Përkundrazi, çdo skenë duket sikur ndriçohet nga një dritë e ftohtë dhe mizore. Personazhet nuk shtrihen rehat duke tymosur puro në restorante të shtrenjta të Nju-Jorkut, por grumbullohen jashtë ndërtesave të zyrave në Londër, duke pirë cigare sikur të përpiqen të shmangin panikun e ardhshëm.
Nëse dekada e dytë e shekullit XXI ishin thirrje për betejë kundër ekseseve të kapitalizmit, padrejtësive shoqërore dhe krizës klimatike, kultura popullore në vitin 2024 duket se ka hequr dorë nga lufta. Sigurisht, lavjerrësi kulturor pa dyshim do të lëkundet përsëri. Në një letër për një tjetër “ndryshim atmosfere”, të shkruar pas rizgjedhjes së Donald Trumpit, Monahan ka shkruar: “Ndryshimi i atmosferës këtë herë është një histori për progresistët milenialë që kuptojnë se kur shpallën fitoren totale për politikën e tyre në vitin 2020 – ajo ishte një Fitore e Pirros … Ata duhet të futen në istikame dhe të bindin njerëzit se interpretimet e tyre të realitetit janë të sakta”. Tingëllon si një punë e lodhshme, por, tash për tash, merreni një ëmbëlsirë ose një gotë verë. Gjithmonë vjen viti tjetër. /Telegrafi/