Partia opoziatare OBRM-PDUKM ka vendosur tashmë për pyetjen që do të ketë në referendum.
Nëse OBRM-PDUKM mbledh 150.000 nënshkrimet e nevojshme për shpalljen e referendumit, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka paralajmëruar se do të respektojë procedurat dhe do ta vë referendumin para deputetëve.
Sipas kryeparlamentarit, ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë duhet të zbatohen për të mirën e shtetit dhe jo të përdoren për interesa partiake.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Xhaferi nuk jep një përgjigje konkrete nëse kjo pikë do të hyjë në procedurë parlamentare edhe pa një shumicë prej dy të tretash, duke pasur parasysh qëndrimin e prerë të opozitës për këtë çështje.
Ai pret arsye nga të gjitha partitë politike, por siguron se bllokada e opozitës nuk cenon punën dhe funksionalitetin e Kuvendit.