Cila është mënyra më e mirë për të gatuar perimet, duke ruajtur njëkohësisht edhe vlerat e tyre ushqyese?
Një ekip studimi spanjoll bëri më shumë se 300 eksperimente të veçanta me 20 perime dhe 6 mënyra gatimi, duke përllogaritur gjatë gjithë kohës, 3 mënyra të ndryshme matjeje të antioksiduesve.
Ata testuan pjekjen në furrë, në tigan, zierjen, skuqjen, gatimin në mikrovalë dhe në tenxhere me presion.
Le të fillojmë me metodën më të keqe për sa i përket humbjes së antioksiduesve: zierja në tenxhere me presion.
Kur ju përdorni këtë mënyrë, disa nga ushqyesit humbasin në ujin e gatimit. Për shembull, studiuesit zbuluan se zierja largon mesatarisht 14 për qind të kapacitetit antioksidues të perimeve. Pra, nëse ju pëlqen misri i zier, shtoni edhe gjysmë kalliri më shumë në tenxhere. (Një kalli e gjysmë i zier mund të ketë fuqinë e një kalliri të pjekur, të gatuar në mikrovalë ose të pagatuar.)
Nga të gjashta mënyrat e gatimit që u studiuan, pjekja në tigan pa vaj dhe ajo në mikrovalë ishin më të mirat. Gatimi i perimeve në mikrovalë duket se ruan më shumë se 95 për qind të kapacitetit të tyre antioksidues.
Megjithatë, këto janë mesataret e testuara në 20 perime. Disa perime janë më rezistente, kurse te disa të tjera fuqia antioksiduese rritet me anë të gatimit.
Si mendoni, cila ishte perimja më delikate, ajo që do të ishte më mirë të konsumohej e pagatuar?
Nëse po mendonit për specat, keni të drejtë. Specat kanë treguar se humbasin rreth 70 për qind të aftësisë së tyre antioksiduese kur gatuhen në furrë.
Nga ana tjetër, 3 perime nuk ndikoheshin fare nga gatimi: angjinarja, panxhari dhe qepa. Edhe nëse i zieni, ato e ruajnë 97.5 për qind të fuqisë së tyre antioksiduese.
Janë edhe dy perime të cilat janë akoma më të shëndetshme nëse gatuhen: karota dhe kërcelli i selinosë, shkruan Living. Pavarësisht nga mënyra se si i gatuani, edhe nëse i zieni, karotat dhe selinoja fitojnë fuqi antioksiduese.
Bishtajat ia vlen t’i përmendim, sepse fuqitë e tyre antioksiduese rriten kur gatuhen me metodat e tjera, përveç zierjes dhe gatimit në tenxhere me presion.
Bishtajat e pjekura në mikrovalë, për shembull, kanë më shumë antioksidues se ato të pagatuarat. Kështu që bëni një supë të shijshme me perime, dhe njëkohësisht rritni edhe përmbajtjen antioksiduese të përbërësve. /Telegrafi/