Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur të martën në mbrëmje se pas lajmit për djegien e Fabrikës së Plastikës në Qendrën e Biznesit Drenasi I, i ka telefonuar Xhevdet Rexhepi, pronar i Viva Fresh Store, me ç’rast ka shprehur keqardhje për humbjet materiale dhe dëmet që ka pësuar kjo fabrikë.
Sipas Lladrovcit, pasi është informuar për gjendjen, Rexhepi ka shprehur gatishmëri, nëse pajtohet pronari i Fabrikës së Plastikës, për të punësuar të gjithë punëtorët e fabrikës së djegur, të cilët mund të jenë aktualisht të papunë.
“Ata do të ktheheshin kur do të rifillojë punën Fabrika apo kur do ta kërkonte pronari i Fabrikës së djegur. Xhevdeti ka ndjerë keqardhje, njëherësh ka shprehur solidaritet edhe me pronarët e Fabrikës, edhe me punëtorët. Për kushtet dhe mundësitë e punësimit të punëtorëve të Fabrikës së Plastikës, Xhevdeti do ta ketë derën hapur. Miku i mirë, për ditë të vështirë!”, shkruan Lladrovci. /Telegrafi/