I dyshuari i akuzuar për kryerjen e sulmit terrorist të së premtes në Christchurch, Zelanda e Re, kishte gjasa të kryente edhe një sulm të tretë, përpara se të ndalohej nga autoritetet.
Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka thënë një zyrtar i lartë i Zelandës së Re.
Pesëdhjetë njerëz u vranë kur një person i armatosur hapi zjarr brenda dy xhamive javën e kaluar.
Autoritetet kanë akuzuar Brenton Tarrant, një 28 vjeçar australian, me vrasjet në lidhje me incidentin. Megjithatë, për të priten edhe akuza të tjera.
Komisioneri i policisë Mike Bush tha të mërkurën se autoritetet “absolutisht” besojnë se ata e ndalën të dyshuarin “në rrugën drejt një sulmi të mëtejshëm”.
“Jetët u shpëtuan” shtoi ai, por nuk pranoi të hynte në detaje për të mos “traumatizuar të tjerët”.
Funeralet e para u mbajtën të mërkurën për Khaled Mustafën, 44 vjeç, dhe djalin e tij, Hamza 15-vjeçar.
Qindra njerëz qëndruan në heshtje solemne në Varrezat e Parkut Memorial, ku ishin gërmuar varre për të varrosur dhjetëra viktima.
Kryeministri i Zelandës së Re, Jacinda Arden ishte kthyer në Christchurch, të mërkurën, për të ofruar ngushëllim për të prekurit nga tragjedia.
Duke folur në konferencën për shtyp, Arden njoftoi se vendi do të mbajë një heshtje dy minutëshe të premten e ardhshme, për të përkujtuar viktimat e masakrës së xhamisë. /Telegrafi/