Vëzhgues të ndryshëm ndajnë bindjen se me interesin e shtuar të SHBA-së dhe BE-së ndaj Maqedonisë dhe një pune serioze të qeverisë së re të saj për demokratizimin e vendit, ftesa për anëtarësim në aleancën veri-atlantike nuk do të vonojë.
Ish-ambasadori maqedonas në NATO, Nano Ruzhin, beson se organizata është e përgatitur ta pranojë Shkupin sa më shpejt që të jetë e mundur, nëse do të arrijë të bindë fqinjën e tij, Greqinë, për çështjen e emrit, të cilën Zaev është zotuar të mos e bllokojë, por të përpiqet t’i japë zgjidhje.
Sinjalet nga Athina duken pozitive: që përpara se Ekzekutivi i Zaevit të merrte dritën jeshile të zyrtarizohej, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, deklaroi se ishte i gatshëm ta ftonte ministrin e Jashtëm të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në kryeqytetin grek për të thelluar, siç u shpreh ai, bashkëpunimin dypalësh e për të kapërcyer problemet që i kanë vendosur vendet e tyre në kurs përplasjeje, raporton Tch.
Nisur nga faktorët aktualë gjeopolitikë në Ballkanin Perëndimor, them se kemi një mundësi të mirë për të kapërcyer mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë e për të marrë ftesën e NATO-s, gjë që mund të ndodhë brenda fundit të vitit, citohet të thote Ruzhin.
Arsyeja, sipas tij, janë retë e Moskës, të grumbulluara në rajon, që po detyrojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët të shtojnë praninë e tyre.
Në 2008-n, Maqedonia e humbi për pak shansin e hyrjes në NATO dhe shkak për këtë u bë pikërisht zënka me Greqinë për çështjen e emrit.
Për rrjedhojë, Shkupi mori një ftesë të kushtëzuar me të cilën aleanca e bënte të qartë se do ta pranonte vetëm kur të zgjidhë problemet me shtetin fqinj. Greqia këmbëngul se përdorimi i fjalës “Maqedoni” nënkupton një pretendim territorial ndaj provincës veriore të saj që mban të njëjtin emër. Po për këtë arsye, Athina i ka bllokuar Shkupit edhe përpjekjet e anëtarësimit në BE.