Lëkundjet e shumta të kohëve të fundit në Itali duket se kanë dhënë efektet e tyre negative në këtë shtet, duke zgjuar një prej vullkaneve më të frikshëm të Europës, atë të njohur si Campi Flegrei.
Është një vullkan aktualisht jo aktiv, i cili ndodhet në qytetin e Napolit dhe që sipas shkencëtarëve të Institutit Italian të Gjeofizikës po shfaq shenja shqetësuese zgjimi.
Sipas tyre, nëse Campi Flegrei shpërthen nuk bëhet fjalë për shpërthim në fuqinë e Vezuvit që shkatërroi Pompein e disa qytete romake në atë kohë, as për atë të Etnas në Siçili, por do të jetë një shpërthim 10 herë më i fuqishëm.
“Shpërthimi do të ishte mjaft i madh dhe i rrezikshëm dhe kërcënues jo vetëm për Italinë, por për gjithë Europën”, thotë udhëheqësi i studimit të Campi Flegreit, Giavanni Chiodini.
Ai shprehet se niveli i alarmit në Institutin Italian të Gjeofizikës është rritur nga jeshil në të verdhë që prej vitit 2012 dhe kjo do të thotë një monitorim i përhershëm i aktivitetit nëntokësor në këtë mal.
Studiuesit italianë dhe ata ndërkombëtarë që kanë hulumtuar këtë vullkan thonë se shpërthimi i fundit i tij ka qenë para 39 mijë vitesh. /Joq/